
Dhuna në familje dhe në përgjithësi dhuna ndaj gruas vazhdon të jetë një dukuri shqetësuese në
Shqipëri. Ajo mbetet kryesisht pas dyerve të mbyllura për shkak të mentalitetit që e sheh dhunën si një ҫështje private dhe familiare. Një pjesë e mirë e grave, që janë subjekt i dhunës, vuajnë në heshtje dhe nuk arrijnë dot ta denoncojnë dhe të shkëputen nga cikli i saj.
Shoqata Refleksione mbetet e angazhuar fuqimisht në ndryshimin e këtij mentaliteti, në ngritjen
dhe forcimin e strukturave institucionale për t’iu përgjigjur rasteve të Dhunës në Familje (DHF) dhe Dhunës me Bazë Gjinore (DHBGJ). Në Shqipëri, pjesa më e madhe e shërbimeve dhe mbështetjes ndaj grave, viktima të dhunës, jepet ne nivel lokal, përmes Mekanizmit të Referimit, i njohur ndryshe edhe si Përgjigja e Koordinuar e Komunitetit për këto raste.
Ky raport është realizuar në kuadër të projektit pilot “Monitorim i Mekanizmit të Referimit në nivel lokal për rastet e Dhunës në Familje (DHF) – aktivizëm qytetar për përmirësimin e tij- Gjetje dhe Rekomandime” i zbatuar nga Refleksione në Bashkinë e Lushnjës, Fierit dhe Korçës, mbështetur financiarisht nga Agjensia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvilim (SDC) përmes konsorciumit LëvizAlbania.
Specifikimet
- Publisher: Refleksione
- Language: Shqip
- Paperback: 56 pages